Kryeministri Edi Rama ka bërë dhe një zëvendësim tjetër së fundmi, pas Zef Mazit që nuk do të jetë më kryenegociator për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, e në vend të tij emëroi znj. Majlinda Dhuka. Sipas vendimit të qeverisë të publikuar në fletoren zyrtare, Juliana Latifi zëvendësohet me ish-kreun e KQZ-së Denar Biba. Latifi, ishte negociatore për kapitullin 5.
Vendimi i parë i qeverisë lidhur me ekipin negociator për bisedimet me BE-në u mor më 25 korrik, ku Rama shkarkoi negociatorin Zef Mazi dhe në vend të tij emëroi Majlinda Dhukën. Kjo e fundit do të jetë dhe në krye të ministrisë të Shtetit.
VENDIMI:
VENDIM Nr. 520, datë 29.7.2022
PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe në vijim të vendimit nr. 749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Në vendimin nr. 422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, të kreut I, bëhen këto ndryshime:
i. Fjalët “z. Zef Mazi, Kryenegociator;” zëvendësohen me “znj. Majlinda Dhuka, ministër Shteti dhe Kryenegociator (në vijim “Kryenegociatori”)”;
ii. Fjalët “znj. Juliana Latifi” zëvendësohen me “z. Denar Biba”.
b) Në kreun II bëhen këto ndryshime:
i. Në fjalinë e parë, të pikës 1, hiqen fjalët “… barazohet me ministrin e shtetit dhe,”;
ii. Në fjalinë e dytë, të shkronjës “k”, të pikës 1, hiqen fjalët“… përmes ministrit përgjegjës për Evropën dhe punët e jashtme …”;
iii. Pika 3 shfuqizohet.
c) Në kreun V bëhen këto ndryshime:
i. Pika 5 shfuqizohet;
ii. Në pikën 7 hiqen fjalët “… Kryenegociatori dhe …”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit dhe Kryenegociator dhe grupi negociator për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR Edi Rama