Të paktën 13 persona kanë humbur jetën nga vala ekstreme e të nxehtit që ka pushtuar jugun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë dy javëve të fundit.
Numri më i lartë i vdekjeve, përkatësisht 11 persona, u regjistrua në Teksas, pranë kufirit me Meksikën.
Një 14-vjeçar vdiq javën e kaluar kur po ecte në një park në Teksas, ku temperaturat arritën 48 gradë celsius.
Në mënyrë tragjike, njerku i viktimës ka ndërruar jetë në një aksident automobilistik, teksa po nxitonte për ta shpëtuar djalin.
Ndërkohë një grua 62-vjeçare vdiq në shtetin fqinj të Luizianës javën e kaluar, pasi një stuhi la mijëra familje pa energji dhe rrjedhimisht pa ajër të kondicionuar, sipas zyrtarëve lokalë.
Ditët e fundit, temperaturat në disa qytete jugore të SHBA-së kanë qenë shumë të larta dhe autoritetet lokale në Teksas kanë ngritur disa qendra ftohjeje, në kuadër të masave të marra për të përballuar të nxehtin përvëlues.