SHBA ka rrëzuar një tjetër objekt fluturues të paidentifikuar, këtë herë mbi liqenin Huron pranë kufirit kanadez, në atë që është incidenti i katërt i tillë këtë muaj.
Ajo u rrëzua nga pilotët e Forcave Ajrore dhe të Gardës Kombëtare të dielën, tha kongresmenja e Miçiganit Elissa Slotkin.
“Një punë shumë e madhe nga të gjithë ata që e kryen këtë mision,” shkroi ajo në tuiter.
Uashingtoni ka qenë në alarm që kur ushtria shkatërroi një tullumbace spiune kineze të dyshuar më 4 shkurt.
Ajo balonë u gjurmua përgjatë kontinentit amerikan para se të qëllohej në brigjet e Karolinës së Jugut. Zyrtarët morën disa nga mbeturinat e saj nga oqeani dhe thanë se balona e kishte origjinën në Kinë dhe ishte përdorur për mbikëqyrje. Kina mohoi se ishte përdorur për spiunazh dhe tha se ishte një pajisje e vëzhgimit të motit që kishte ndjekur një rrugë të gabuar.
Që nga incidenti fillestar, avionët luftarakë amerikanë kanë rrëzuar tre objekte të tjera në lartësi. Të premten, Presidenti Joe Bajden urdhëroi që një objekt të qëllohej mbi Alaskë. Gjithashtu dhe të shtunën një objekt i ngjashëm u qëllua mbi Yukon në veri-perëndim të Kanadasë.
Zyrtarët nuk kanë identifikuar publikisht origjinën e dyshuar të këtyre objekteve. Si SHBA ashtu edhe Kanadaja po punojnë ende për të rimëkëmbur mbetjet, por kërkimi në Alaskë është penguar nga kushtet e Arktikut.
“Këto objekte nuk ngjajnë shumë dhe ishin shumë më të vogla se balona [e 4 shkurtit] dhe ne nuk do t’i specifikojmë se cilit lloj janë deri sa të mund të rimëkëmbim mbeturinat,” tha një zëdhënës i sigurimit kombëtar të Shtëpisë së Bardhë.
Dihet pak për objektin që u qëllua të dielën, e ndërsa zyrtarët ende nuk kanë dhënë asnjë hollësi rreth madhësisë apo pamjes së tij.