Stadiumi ”Old Trafford” është shndërruar në fortesën e Manchester United këtë sezon. “Djajtë e kuq” po kalojnë një moment fenomenal, pasi ndaj Lejstër regjistruan fitoren numër 14-të në 15 duelet sezonale në këtë impiant. Në fitoren 3-0 përballë “dhelprave” shkëlqeu ai i zakonshmi, Marcus Rashford me një dopietë golash, ndërsa dy asistime dhuroi lojtari më i mirë në fushë, Bruno Fernandes.
Sulmuesi anglez shënoi dy golat e parë të sfidës, me një aksion thuajse identik me njëri-tjetrin. 25-vjeçari vrapoi me shpejtësi në zemër të mbrojtjes kundërshtare, për tu ngjitur në kuotën e 23 golave sezonal në të gjitha garat. Madje, që prej kthimit nga Kupa e Botës, Rashford ka qenë më efektiv, kjo pasi 15 nga këto 23 gola kanë ardhur në 17 ndeshjet e luajtura që nga fundi i turneut të Katarit.
Faktor është edhe stadiumi “Old Trafford” që nxjerr më të mirën e potencialit të Rashford. Anglezi ka shënuar 17 gola, duke qenë në gjurmët e rekordit të Runit, me 19 gola në “Pallatin e Ëndrrave” në sezonin 2011-2012. Jadon Sancho vulosi shifrat përfundimtare në 3-0, për t’i dhuruar fitoren e 27-të sezonale United, më shumë se çdo skuadër tjetër në pesë kampionatet kryesore të Europës. Ecuri që konfirmon formën e mirë të ekipit të Ten Hagg këtë sezon, pasi në mesin e sezonit ka shënuar 7 fitore më shumë sesa arritën sezonin e kaluar.