Manchester United gjithnjë e më shumë në varësi të Marcus Rashford. “Djajtë e kuq” barazuan 2-2 ndaj Leeds United, në një sfidë ku po e humbnin deri në minutën e 62-të. Leeds kaloi në epërsinë e dy golave për herë të parë kundër Manchester United në stadiumin “Old Trafford” që nga shkurti i vitit 1974.
Avantazh që gjithsesi, “djajtë” arritën që ta shpërbënin dhe të dilnin me pikë nga ky 90-minutësh. Thuajse 30 minuta nga fundi, United gjeti golin me autor Rashford. Në atë moment, sulmuesi anglez shënoi golin e ngushtimit të rezultatit, duke qenë sërish vendimtar për skuadrën e United. 25-vjeçari ka shënuar në 6 ndeshje radhazi në “Pallatin e Ëndrrave”, duke barazuar Wayne Rooney që e arriti këtë kuotë në prill 2012.
United vuajti disi mungesën e Casemiro, me skuadrën që mesatarisht ka fituar 2.3 pikë për sfidë kur braziliani gjendet në fushë, krahasuar me 1.4 pikë dhe 2.1 golat e pësuar kur mesfushori nuk zbret në fushë. Pas këtij barazimi, United gjendet në vendin e tretë me 43 pikë, distancuar me 7 pikë më pak se Arsenali që ka dy ndeshje më shumë për të luajtur, gjithsesi gjendet në zonën që të dërgon në Champions League në fund të sezonit.