UEFA ka shfajësuar tifozët e Liverpool dhe ka pranuar përgjegjësinë për kaosin dhe tmerrin që njollosi finalen e Ligës së Kampionëve në sezonin e kaluar në Paris.
Organi drejtues i futbollit evropian kreu hetimin e vet për ngjarjet kaotike dhe të rrezikshme që çuan në shtyrjen me rreth 40 minuta të ndeshjes Liverpool-Real Madrid që u luajt në “Stade de France” më 28 maj të vitit 2022.
Ndërsa në hyrje të stadiumit pati rrëmujë, UEFA dhe policia franceze akuzuan se kjo ndodhi për shkak të tifozëve të Liverpool që po tentonin të hynin pa biletë.
Hetimi arriti në përfundimin se UEFA ka ‘margjinalizuar’ njësinë e saj të sigurisë, të kryesuar nga Zeljko Pavlica, i cili është mik dhe bashkatdhetar i presidentit slloven të UEFA-s, Aleksander Ceferin.
Në raport thuhet se nuk ka asnjë provë për të mbështetur pretendimin e autoriteteve në Paris për të fajësuar tifozët e skuadrës angleze. Aty arrihet në përfundimin se akuzat u krijuan thjesht për të shmangur marrjen e përgjegjësisë për rrëmujën e rrezikshme. Raporti konkludon se tifozët e Liverpool u vetëpërmbajtën përballë provokimit nga policia franceze, që përdori peper spraj dhe gaz lotsjellës.