Tifozët e Liverpool do të ndërmarrin veprime ligjore kundër UEFA-s, pasi kërkojnë kompensim për trajtimin e tyre të tmerrshëm përpara nisjes së finales së Ligës së Kampioneve në Paris. Mbi 2600 persona kanë kontaktuar tre firma ligjore në Britani, të cilat do të ndjekin çështjen në gjykatë.
Institucioni i futbolli europian ka shpallur një skemë rimbursimi për tifozët, ndërsa fansat e skuadrës angleze pretendojnë se kanë pësuar trauma nga kjo eksperiencë, ndërsa policia franceze përdori gaz lotsjellës dhe peper spraj mbi ta.
Një hetim prej 220 faqesh i bërë nga UEFA në lidhje me ngjarjet kaotike dhe shqetësuese në hyrje të “Stade de France” zbuloi se institucioni ishte përgjegjësi kryesor, bashkë me federatën dhe policinë franceze, ndërsa tifozët e Liverpool u shfajësuan.
Në reagimin fillestar, fansat anglezë u akuzuan si fajtorë për kaosin, pasi kishin tentuar që të hynin pa bileta.
Përfundimi i raportit ka sjellë edhe reagimin e klubit të Liverpool që vlerësoi sjelljen e përmbajtur të tifozëve të vet, të cilët u sollën me maturi përpara ashpërsisë së policisë franceze.