Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Jr i ka quajtur racist La Ligën dhe Spanjën pasi u ofendua nga tribuna në humbjen që ekipi pësoi në stadiumin “Mestalla” nga Valencia 1-0. Braziliani tregoi që tifozët që po e ofendonin atë, e kjo solli ndalimin e takimit për 10 minuta në pjesën e dytë.
Situata u tensionua e pati përplasje me futbollistët e Valencias dhe për këtë 22-vjeçari u ndëshkua me karton të kuq.
Në një mesazh në Twitter, Vinicius kritikoi Spanjën dhe federatën për faktin se tolerojnë racizmin, ndërsa presidenti i La Liga-s Havier Tebas në reagimin e tij i kërkoi brazilianit që të informohet për atë që është bërë për të luftuar racizmin.
Trajneri Carlo Ancelotti i doli në mbështetje futbollistit, ashtu si edhe Federata Braziliane e futbollit. Kjo nuk është hera ra e parë që ndaj Vinicius Jr ka pasur ofendime raciste në stadium.
Edhe presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva shprehu mbështetjen e tij për Vinicius Junior dhe i bëri thirrje FIFA-s, që të ndalojë racizmin në futboll. Real Madrid u mund nga Valencia 0-1 në sfidën e javës së 35-të të kampionatit spanjoll. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Lopez Noguerol në minutën e 33 të sfidës. Los Blankos gjenden në vend të 3 me 71 pikë, ndërsa Valencia pozicionohet e 13-ta me 40 pikë.