Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të dorëzohet në një burg në Atlanta më 24 gusht për t’u përballur me akuzat lidhur me përpjekjen e tij për ta përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Kjo është padia e katërt penale me të cilën po përballet Trump këtë vit.
Njëjtë si të pandehurit e tjerë në Atlanta, Trump do të duhet të paraqitet në burgun e Fultonit për t’i dhënë shenjat e gishtërinjve dhe për t’iu bërë një fotografi. Kjo e fundit pritet të qarkullojë gjerësisht nëpër rrjete sociale, përderisa Trump po bën fushatë për ta rifituar Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Ish-presidenti republikan përballet me 13 akuza penale, përfshirë shantazh dhe presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për ta kthyer humbjen e tij në zgjedhje nga presidenti demokrat, Joe Biden./ REL