Shumë optimist u shfaq ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump duke deklaruar për një rrjet amerikan se ai mund t’i japë fund luftës së Putinit në Ukrainë brenda 24 orëve.
Siç raporton gazeta amerikane “New York Post”, miliarderi amerikan mund të arrijë në një ditë atë që Perëndimi nuk mund ta arrijë nëpërmjet negociatave të njëpasnjëshme me të dyja palët: t’i vërë një “fre” armiqësive që kanë filluar që nga 24 shkurti 2022 me nismën e Presidentit rus, Vladimir Putin.
Në një intervistë me gazetarin e “Fox Neës”, Sean Hannity, 76-vjeçari Trump argumentoi se nëse lufta në Ukrainë nuk ka mbaruar në kohën kur mbahen zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe ai do të rizgjidhej në Shtëpinë e Bardhë, ai mund të gjente “brenda një dite” një marrëveshje paqeje.
“Nëse nuk është gjetur zgjidhje për luftën (deri në kohën e zgjedhjeve të vitit 2024), unë do të gjej një zgjidhje për çështjen e luftës brenda 24 orëve së bashku me Zelensky dhe Putin, dhe unë mund të bëj një negocim shumë të lehtë, por nuk dua t’ju them se për çfarë bëhet fjalë sepse atëherë unë nuk do të jem në gjendje ta përdor atë. Do të jem në gjendje të sjell paqen brenda një dite. E përsëris”, ka thënë ai.
Trump theksoi gjithashtu se, në kohën kur mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA, “lufta në Ukrainë mund të përkeqësohet shumë”.