Dani Alves rrezikon deri në 12 vite burg nëse shpallet fajtor për sulmin seksual ndaj një vajze 23-vjeçare, ngjarje e pretenduar se ndodhi më 30 dhjetor në një klub nate në Barcelonë. Mbrojtësi gjendet në paraburgim prej 20 janarit pasi Gjykata urdhëroi ndalimin e lojtarit. 39-vjeçari ka mohuar kategorikisht se është fajtor, edhe pse kamerat e sigurisë ‘tregojnë’ të kundërtën. Nga këqyrja e tyre Alves shihet se ka qëndruar në tualet me 23-vjeçare për rreth 15 minuta.
Rreth kësaj ngjarje, ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe Juventusit ka dhënë tre versione të ndryshme, por për hetuesit asnjëra prej tyre nuk e ka bindur. Ai ka thënë se nuk e njeh vajzën që dyshohet se ka sulmuar seksualisht, më pas ka pohuar se e ka parë por asgjë nuk ka ndodhur dhe në fund, ka pranuar se ka qenë 23-vjeçarja ajo që ka thënë po që ata të kryenin marrëdhënie bashkë. Ndërkaq, në krahun tjetër gazeta spanjolle ‘El Pais” shton se vajza ka hequr dorë nga shpërblimi financiar nga Alves.