Një ditë para ndeshjes me Shqipërinë në Kishinjev, trajneri i Moldavisë, Sergei Kleschenko, doli në një konferencë për shtyp, ku ndër të tjera vlerësoi maksimalisht përballjen me kuqezinjtë dhe tha se skuadra është gati për të bërë maksimumin në fushë.
“Jemi duke u stërvitur mirë që prej ditës së parë dhe jemi gati për ndeshjen me Shqipërinë. E dimë që është një sfidë e vështirë, pasi jemi përballur me ta edhe në Tiranë, ku humbëm 2-0, por mendoj se meritonim një barazim. Shpresoj që lojtarët të kenë nxjerrë mësimet e duhura dhe të reagojnë siç duhet nesër. Në këto momente nuk mendojmë aspak për Çekinë, pasi më mirë të vdesim në fushë nesër, sesa të lëmë gjithçka për sfidën në Pragë”, u shpreh Kleschenko.