Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag deklaroi se është i vetëdijshëm se shpenzimet e mëdha të klubit të tij në merkato e kanë vënë atë dhe skuadrën nën presion për të dalë në katërshen më të mirë të Premier Ligës.
Drejtuesit e “Djajve të kuq” harxhuan më shumë se 241 milionë dollarë për të sjellë në “Old Trafford” dyshen braziliane Antony dhe Casemiro nga Ajax dhe Real Madrid, kampionin e ri të botës Lisandro Martinez dhe mbrojtësin holandez Tirel Malacia në verë.
Ten Hag mori drejtimin e United, pas largimit të Ralf Rangnick në prill ka sjellë ndryshime në ekip e ka si objektiv që të arrijë suksese pas rezultateve negative të vitit të shkuar futbollistik.
‘Ne jemi të vetëdijshëm se konkurrenca është e fortë, por mendoj se vlen për të shtatë, tetë klubet që po luftojnë për katër vendet e para. Kështu për që të gjithë ata që shikojnë dhe ndjekin Premier League kjo do të jetë e mrekullueshme, sepse duhet të luftosh në çdo ndeshje që të marrësh pike’, u shpreh Erik ten Hag.
Rëndësi ka që nëse i bëjmë gjërat siç duhet, atëherë kemi shanse të jemi një ndër katër ekipet më të mira. Ka presion te çdo trajner i atyre klubeve ku është shpenzuar shumë, synimi ynë është të fitojmë trofe dhe të luajmë në Champions.
“Djajtë e kuq” janë të pestët në renditjen aktuale të Premier Ligës, tre pikë larg vendit të katërt.
United luan të martën ndaj Notingam Forest, por tekniku e ka të paqartë nëse do të aktivizojë në mbrojtje dyshen Martinez dhe Raphaël Varane. Francezi luajti në finalen e Kupës së Botës më 18 dhjetor, ndërsa argjentinasi u la në stol.