Një tragjedi ka ndodhur në një familje në shtetin amerikan të Pensilvanisë, ku dhjetë persona kanë humbur jetën nga një zjarr që përpiu banesën ku ata jetonin. Në mesin e viktimave janë tre fëmijë dhe shtatë të rritur. BBC shkruan se një nga zjarrfikësit që shkoi në vendngjarje për të shuar flakët, u tmerrua kur zbuloi se viktimat ishin familjarë të tij.
Zjarrfikësi Harold Baker, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se të vdekurit ishin djali, vajza, vjehrri, kunati, kunata, tre nipërit dhe dy të afërm të tjerë të tij. Ai tha se tre fëmijët që vdiqën – dy djem dhe një vajzë – nuk jetonin në shtëpinë e tij por se kishin shkuar aty për pushimet verore.
Policia e Shtetit të Pensilvanisë konfirmoi emrat e gjashtë prej viktimave, por ende nuk ka identifikuar fëmijët më të vegjël, të moshës pesë, gjashtë dhe shtatë vjeçare. Një hetim penal ka nisur për shkaqet e rënies së zjarrit. Zjarri mendohet se ka filluar në verandë herët në mëngjesin e së premtes.