Një tjetër problem për Marash Kumbullën! Duket se rikthimi në fushë i mbrojtësit të qendrës të Romës dhe përfaqësueses kuqezi do të shtyhet ende. Kjo për shkak të një problemi në kofshë, ku lojtari ndjen një ngurtësim që ia bën të vështirë që të lëvizë normalisht në fushë.
Sipas gazetës italiane “Il Tempo”, vështirë që 23-vjeçari të kthehet në fushë për verdhekuqtë në sfidat e radhës si në Serie A ashtu edhe në Kupë, edhe pse situata nuk është shumë shqetësuese.
Që nga këputja e ligamentit në verë, lojtari kuqezi ka qenë në infermieri. Në dhjetor ai u stërvit me ekipin, por duket se kthimi në formën e tij optimale do të vonojë.
Gjendja e Kumbullës shikohet me përparësi edhe nga trajneri i përfaqësueses Silvinjo, i cili shpreson që ta ketë gati mbrojtësin për finalet e Euro 2024-ës. Edhe pse 23 vjeçar, Kumbulla është njëri nga mbrojtësit me më shumë eksperiencë te kuqezinjtë. Ai ka luajtur 70 ndeshje në Serie A ndërsa me përfaqësuesen 18 sfida.