Një tjetër masakër me armë zjarri është shënuar në SHBA, ku katër persona kanë mbetur të vrarë dhe 2 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë në Filadelfia.
Të plagosur janë dy adoleshentë të moshës 13 vjeç gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet e stabilizuar.
Gjatë natës një burrë hapi zjarr në vende të ndryshme të qytetit përpara se të ndalohej dhe arrestohej nga policia. Në një rrugicë janë gjetur një pushkë, një pistoletë dhe karikatorë të ndryshëm me municion, ndërsa autori kishte veshur një jelek antiplumb.
Edhe një person tjetër është arrestuar nga policia.
Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes por autoritetet amerikane bëjnë me dije se autori nuk i njihte viktimat.
Masakra e cila ndodhi në Ditën e Pavarësisë vjen vetëm një ditë pasi dy persona humbën jetë dhe 28 të tjerë u plagosën gjatë të shtënave me armë në Baltimore, Maryland.