Tre javë pas tërmetit vdekjeprurës në Turqinë juglindore, është konstatuar një pakënaqësi e madhe pwr qeverinë turke. Kjo është regjistruar edhe në përqindjet e partisë së presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Sipas sondazhit të ALF, përqindjet pas tërmeteve vdekjeprurëse janë si më poshtë:
-Aleanca Popullore (Erdoğan – Bahçeli) 35.1%
-Aleanca e Kombit (Kilicdaroglu-Aksener) 47.6%
-Pro-kurde HDP 9.8%.
Për shkak të kësaj pakënaqësie, për të cilën edhe vetë presidenti turk është i vetëdijshëm, ka ardhur edhe kërkesa e faljes. Erdoğan kërkoi falje për vonesën në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës nga banorët e provincës Adıyaman, një nga provincat turke më të prekura nga tërmeti shkatërrues i 6 shkurtit.
“Për shkak të shkatërrimeve të dridhjes dhe kushteve të këqija meteorologjike, ne nuk ishim në gjendje të punonim siç donim në Adıyaman për shumë ditë. Kërkoj ndjesë për këtë,” tha presidenti turk gjatë vizitës së tij në krahinë, tre javë pas tërmetit që vrau më shumë se 44,000 vetë në Turqi.
Ky tërmet ka qenë edhe një goditje e madhe financiare. Lëkundjet kanë shkaktuar më shumë se 34 miliardë dollarë dëme, tha Banka Botërore (BB) në një vlerësim sot. Banka Botërore kujton se pasgoditjet që vazhdojnë të ndodhin rrezikojnë të rrisin sasinë totale të dëmeve të shkaktuara nga katastrofa.
Rreth 10,000 tronditje të mëpasshme kanë ndodhur që nga 6 shkurti në Turqi, sipas Agjensisë Turke të Menazhimit të Fatkeqësive (AFAD). Në total, tërmetet e fundit kanë vrarë më shumë se 44,000 vetë në jug dhe juglindje të vendit, sipas llogaritjes së fundit zyrtare.
Tërmeti i 6 shkurtit, me magnitudë 7.8 ballë, shkatërroi ose shkaktoi dëme serioze në më shumë se 170.000 ndërtesa në njëmbëdhjetë provinca të vendit dhe goditi gjithashtu pjesën veriore të Sirisë fqinje.