Opozita ka nisur vazhdën e protestave një muaj më parë. Teksa vetë ish-kryeministri Berisha e njoftoi si nje aksion opozitar për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, vetë qëndresa në fakt vjen pas hetimeve të nisura ndaj Berishës dhe burgosjes së dhëndrit të tij, Jamarbë Malltezi.
Prej javësh, Kuvendi po zien nga tensionet, kaosi, akuzat direkte dhe indirekte, flakadanët, madje dhe grushtat. Por për çfarë?
Aksioni opozitar, për të shpëtuar lëkurën e Berishës
Pas burgosjes së Malltezit dhe masës “detyrim paraqitje” ndaj Berishës, ky i fundit njoftoi nga selia e PD se përgjigjia ndaj regjimit të Ramës do të ishte e menjëhershme.
Opozita i nisi protestat fillimisht pasi mazhoranca rrëzoi kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore. Aksioni u përforcua kur në selinë blu mbërritën përfaqësues të SPAK për t’i komunikuar Berishës masën e sigurisë. Dukshëm, aksioni opozitar në emër të popullit u kthye në aksion opozitar në emër të liderit.
Pra, si të shpëtojmë Berishën nga burgu.
Kuvendi supozohet të jetë institucioni ku deputetët e zgjedhur nga populli, të qajnë dhe zgjidhin hallet e popullit. Por, në Shqipëri foltorja e Kuvendit është kthyer në këndin e vajtimit të politikanëve, kush e kush ka vjedhur më shumë.
Teksa opozita vijonte aksionin e vetë me akuza ndaj Ramës e ministrave, këta të fundit miratuan për më pak se 5 minuta, projektbuxhetin e vitit 2024, plot 1.4 miliardë euro. Po për çfarë do të shkojnë këto miliarda euro? Për shëndetësi? Për arsim? Infrastrukturë? Askush se kuptoi, madje as vetë mazhoranca që e votoi.
E pra, aksioni opozitar duhej të ishte një debat mes palëve për investimet dhe fondet që rrjedhin nga ai buxhet. E në mesin e tymit dhe kaosit, opozita as nuk e kuptoi çfarë u miratua jo më të mbronte votën e popullit. Shkurt, dështoi aksioni.
1.4 miliardë euro miratohen fluturimthi
Mazhoranca miratoi projektbuxhetin pa informuar popullin se për çfarë do të shkojnë 1.4 miliardë euro, ku dhe si do të investohen. Ndoshta jo në terma ekonomikë e shkencorë, por më të thjeshtë, ne, populli duhet ta dimë ç’po kurdis qeveria për ne vitin e ardhshëm.
Por, si demokratët ashtu edhe socialistët, rroken të shajnë me libër shpie njëri-tjetrin duke u numëruar tenderat dhe paratë publike që kanë vjedhur dhe akoma vjedhin, duke harruar se i marrin nga taksat tona.
Kryeministri me një status në platformën “X” i drejtohej opozitës se do të shkërmoqej e se kishte sjellë në Kuvend fjalor rruge, për t’u pasuar më vonë nga Gazment Bardhi me akuzat se Rama kishte futur në Parlament trafikantë e vrasës.
Po për ato 1.4 miliardë euro do të flasë njeri? Se fundja të dyja palët i dalin para popullit në fushata zgjedhore duke premtuar botën në duart e tyre e në fund, harrojnë madje që ka një popull.
Me shumë rëndësi për politikanët tanë është lëkura e liderit dhe jo populli, që i zgjedh dhe i vendos në qeveri. Kushdo që del e thotë se po protestojmë për popullin, taksat e popullit, vota e popullit, e shumë deklarata të tjera, janë sentimentalizma të rreme që mundohen t’i hedhin hi syve pikërisht POPULLIT.