Ditën e djeshme Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 14 majit. Slogani kryesor me të cilin do të përfaqësohen është ‘Kurrë pas, përpara’. Të mbledhur tek liqeni i Farkës, deputetë, kandidatë, ministra dhe patronazhistë kanë festuar nën tingujt e muzikës. Ajo që bie në sy është kënga që do t’i shoqërojë socialistët në fushatën e 14 majit. Ata kanë zgjedhur të prezantohen me një këngë tallava. Kënga hapet me rreshtat ‘‘Ne ecim para, nuk e kthejmë kokën mbrapa”. Kaq ka mjaftuar që të gjithë të pranishmit të elektrizohen. Në fakt, kënga përshkruan të gjithë punën që kanë bërë socialistët në këto vite dhe fjalët janë motivuese.
Në pamje vihet re që edhe kryeministri Edi Rama duket i kënaqur me këngën aq sa kërcen dhe shfaq vetëbesim se as në këto zgjedhje nuk do të thyhet dot.
‘Ça po meno,
Hajde festo
Është kënga ime,
Është kënga jonë
Ku është shoqnia,
Ku është dashnia.
Është Shqipëria
Ne ecim para,
vetëm përpara
Ne ecim para, nuk e kthejmë jo kokën mbrapa”, thuhet në tekst, por nuk dihet kush e ka shkruar këngën dhe këngëtarët.
Duhet pranuar se zyra e shtypit e kryeministrit dhe e qeverisë janë gjeni për të tërhequr vëmendjen e votueseve. Në rreshta përmendet shoqëria duke i bërë të gjithë të barabartë me ato. Madje, kanë shkuar aq larg sa u drejtohen shqiptarëve ‘ta hënksha zemrën, ta falsha zemrën’ dhe pasi e kanë bërë realitet këtë fakt, tashmë e kanë vendosur në këngë me të cilën kërcejnë dhe harbohen të gjithë.
Ironia qëndron se veprimet e tyre në gjithë këto vite pushtet, mirë apo keq, i fusin në këngë dhe ua servirin shqiptarëve. Praktikisht po kërcejnë me hallet dhe problemet e tyre. Përtej bindjeve politike, Edi Ramës i duhet shtrënguar dora për mënyrën si i kthen në gëzim dhe normalitet të gjitha problemet e këtij vendi.
Me këtë lëvizje, Partia Socialiste e ka të marrë edhe këtë mandat. Mos harrojmë që Edi Rama erdhi në pushtet kur doli me tepsi në dorë duke hipur autobus më autobus dhe duke u sjellë si popull. Sot kërcen dhe servir atë që ai do që ne ‘të konsumojmë’. Urime fitoren. Po udhëhiqni popullin e ëndrrave. Do jeni në pushtet për shumë kohë, sepse shqiptarët tallava duan./ Klara Murra