Boston Celtics rikthehet tek fitorja në NBA amerikan. Pas tre humbjeve radhazi, Celtic ishin superior në duelin kundër Portland, duke e fituar pa shumë vështirësi 115-93. Lojtari më i mirë në parket ishte Tatum, autor i 30 pikëve, 7 rebaund e 2 asistimeve. Gjiganti 203 centimetra i gjatë mban në garë skuadrën e Boston për të marrë kreun e Konferencës së Lindjes. Në radhët e Portland u dallua i përhershmi Lillard, por 27 pikët e tij nuk shmangën humbjen e radhës për Blazers, që mbetet shumë larg zonës play-off.
Chicago Bulls shkaktoi befasinë e madhe. “Demat” triumfuan 117-96 ndaj kryesuesve të konferencës së Perëndimit, Denver Nuggets. Një fitore me tepër rëndësi për Bulls, që mbetet në lojë për një vend në raundin tjetër të NBA. Diferencën e bëri dyshja, LaVine-Vuçeviç, të cilët shënuan 54 pikë së bashku, e ku malazezi kompletoi një double-double prej 25 pikësh e 15 rebaund. Performancë që zbehi atë të Jokiç, që me 18 pikë e 12 rebaund nuk shmangu humbjen e Nuggets.
Double-double i Leonard prej 24 pikë e 12 rebaund I dhuroi fitoren e dytë radhazi Los Angeles Clippers. Amerikani e udhëhoqi drejt fitores 108-100 ndaj Torontos, për ta mbajtur kështu skuadrën kaliforniane në zonën play-off.
Vijon ngjitja e Phoenix Suns në renditjen e konferencës së Perëndimit, pas fitores 132-101 ndaj Oklahomës. Booker shkëlqeu me 44 pikë. Ndërkaq, fitore shënoi edhe Cleveland, 104-100 përballë Miami Heat.