Surpriza, spektakël dhe gola kanë prodhuar duelet e së martës në Ligën e Kampionëve. Real Madrid fitoi me shumë vështirësi 3-2 ndaj Napolit në Itali, për të koleksionuar kështu fitoren e dytë në grup dhe hedhur një hap të madh drejt turit tjetër. Ostigard kaloi në epërsi italianët, që gjithsesi nuk arritën që të ruanin avantazhin.
Heroi i madrilenëve në këtë sezon, Belingam nxori nga repertori një asist fantastik për Vinisius tek goli i barazimit. Ndërkaq, anglezi shënoi për avantazhin, me anglezin që ngjitet në kuotën e 8 realizimeve në Champions League. Gallatasaraj shkaktoi befasinë e madhe. Turqit morën 3 pikët nga transferta e Manchester United, pas fitores 3-2. Hojlund shënoi dopietë golash për ‘djajtë’, gjithsesi Gallata përmbysi gjithçka. Goli me vlerën e fitores mban firmën e Mauro Icardit. Argjentinasi i shkaktoi humbjen e shtatë në 14 ndeshjet e fundit në shtëpi në Ligën e Kampionëve, po aq sa ka pësuar në 96 ndeshjet e mëparshme, me 67 fitore dhe 22 barazime.
Humbje pësoi edhe Arsenali, 2-1 në shtëpinë e Lens. Francezët morën maksimumin ndaj nënkampionëve të Anglisë për të shkaktuar jo pak befasi. Goli i 17-të në 25 ndeshje si titullarë i Gabriel Zhesus u zhvlerësua nga ana e Lens, që ia doli të marrë pikët e plota dhe kreun e grupit B. Fitore minimale regjistroi Interin, 1-0 ndaj Benfikës, falë një goli të Turam. Francezi shënoi golin e vetëm, ndërsa minuta kishte edhe për Kristjan Asllanin. Mesfushori i kombëtares shqiptare luajti për rreth 10 minuta, teksa u ndëshkua dhe me karton të verdhë. Në takimet e tjera, Bayern triumfoi me përmbysje 2-1 ndaj Kopenhagen, ndërsa barazim spektakolar 2-2 mes PSV dhe Sevilla.