Eliminimi nga Kupa e Mbretit e Barcelonës pritet të lë pasoja të mëdha edhe në arkat e Federatës spanjolle të futbollit. Pjesëmarrja e Katalanasve në Superkupën e Spanjës është seriozisht në rrezik, kjo pasi rregullorja parashikon pjesëmarrjen e finalistëve të Copa del Rey dhe dy më të mirëve të La Ligës në sezonin e kaluar.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle “Marca”, dështimi i Blaugranëve për të marrë pjesë në Superkupën e ardhshme është gjithashtu një problem për Federatën Spanjolle të Futbollit. Në fakt, në kontratën me Arabinë Saudite, e cila garanton 40 milionë euro në sezon , ka një klauzolë sipas së cilës shuma e garantuar nga shteti saudit mund të ulet me 5 milionë.
Situatë që nuk i pëlqen aspak federatës iberike, pasi do humbiste jo pak nga turneu arab. Për më tepër edhe Real Madrid mbetet në dyshim për të qenë pjesë e Superkupës së Spanjës, pasi shpresa e vetme mbetet vetëm përmes kampionatit pasi edhe ‘Los Blancos’ i dhanë lamtumirën Kupës së Mbretit të këtij sezoni.