Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka folur pas fluturimit mbi sheshin “Skënderbej” të dy avionëve bombardues B52.
Ajo u shpreh se kjo e bën shumë të qartë që për SHBA, marrëdhënia në fushën e mbrojtjes është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Kim u ndal edhe te rasti i ndalimit të tre të huajve në uzinën e armëve në Gramsh duke theksuar se do të priten përfundimet e hetimit dhe vënia para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës.
“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu, në mes të Tiranës, në mes të Shqipërisë për fluturimin historik të dy avionëve bombardues B52. Ashtu siç të gjithë e dinë, ata janë avionët më të mëdhenj të ushtrisë amerikane dhe po kryejnë një stërvitje duke fluturuar mbi rajon, përfshirë edhe Shqipërinë, por jo vetëm Shqipërinë. Po fluturojnë edhe në vende të tjera.
Kjo duhet ta bëjë shumë të qartë që për Shtetet e Bashkuara, marrëdhënia jonë në fushën e mbrojtjes, aleanca jonë me Shqipërinë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne qëndrojmë gjithmonë krah aleates sonë të NATO-s. Tani, më pas, gjithmonë!
Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë! Dhe jam shumë e kënaqur që jam këtu me Shefin e Shtabit tuaj. E di që ka pasur disa incidente kohët e fundit, por ne jemi me ju deri në fund. Dhe presim të shohim përfundimet e hetimit dhe vënien përpara drejtësisë të atyre që janë përgjegjës”, u shpreh Kim.