Qeveria e Sudanit nuk ka pranuar të marrë pjesë në takimin rajonal që ka si synim të zgjidhë krizën në shtetin e përfshirë nga konflikti. Sipas Sudanit, Kenia, vendi që po udhëheq bisedimet, po favorizon forcat rivale. Përafërsisht 3.000 njerëz kanë mbetur të vrarë që nga mesi i prillit kur nisën luftimet mes forcave të dy gjeneralëve rivalë në Sudan. Gati 3 milionë të tjerë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Blloku i shteteve lindore afrikane ftoi shefin e ushtrisë së Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, dhe Mohamed Hamad Dagalo, që udhëheq Forcat Paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë të takoheshin në kryeqytetin e Etiopisë më 10 korrik.
Asnjë nga te dy nuk mori pjesë në bisedime edhe pse Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dërguan përfaqësues në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësuesit e Kenias, Sudanit Jugor, Xhibutit dhe Etiopisë. Ministria e Jashtme e Sudanit tha se delegacioni i vendit të tyre nuk do të marrë pjesë në takim nëse nuk plotësohet kërkesa që të mos i udhëheqë Kenia këto bisedime.