Stuhitë e fuqishme kanë goditur zona të Evropës qendrore dhe jugore, duke vrarë të paktën 12 persona, përfshirë tre fëmijë.
Vdekjet, shumica nga rënia e pemëve, u raportuan në Itali dhe Austri dhe në ishullin francez të Korsikës.
Stuhitë pasojnë javë të të nxehtit dhe thatësirës në pjesën më të madhe të kontinentit, shkruan BBC.
Në Korsikë, erërat që frynë deri në 224 km/h shkulën pemët dhe dëmtuan shtëpitë e lëvizshme. Autoritetet atje thanë se një vajzë 13-vjeçare u vra nga një pemë që u rrëzua në një kamping
Një burrë vdiq në një incident të ngjashëm dhe një grua 72-vjeçare u vra kur makina e saj u përplas nga çatia e shkëputur e një kasolleje në plazh.
Dy persona të tjerë, një peshkatar dhe një grua, humbën jetën në det.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, i cili mbërriti në Korsikë të enjten, tha se 20 persona ishin plagosur – katër prej tyre në gjendje të rëndë.
Disa kampingje u evakuuan të enjten në mbrëmje përpara dëmeve të tjera të pritshme.
Mund të shpallet një gjendje fatkeqësie natyrore, tha Darmanin. Stuhitë ekstreme janë bërë më të shpeshta kohët e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike.
Dëshmitarët e stuhive thanë se ato ishin krejtësisht të papritura dhe nuk u dha asnjë paralajmërim.
Në kontinentin francez, disa zona jugore u goditën nga ndërprerjet e energjisë dhe rrugët u përmbytën në qytetin e dytë të vendit, Marsejë.
Në Austri dy vajza u vranë nga një pemë që ra pranë një liqeni në Carinthia.
Më vonë, tre vdekje të tjera u raportuan nga mediat në provincën e Austrisë së Poshtme, gjithashtu si pasojë e rënies së një peme.
Ndërkohë në Itali, një burrë dhe një grua u vranë nga rrëzimi i pemëve në incidente të veçanta në rajonin e Toskanës.
Por në Italinë jugore vazhdoi vala e të nxehtit, me temperatura deri në 40 gradë Celsius të regjistruara në Siçili.
Dhe përtej Detit Mesdhe në Algjeri, të paktën 38 njerëz kanë vdekur nga zjarret në pyje.
Shumë pjesë të Evropës kanë parë javë me mot jashtëzakonisht të nxehtë dhe të thatë.
Ngjarjet ekstreme të motit, duke përfshirë valët e të nxehtit dhe stuhitë, janë bërë më intensive dhe më të shpeshta vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.