Përdorimi i kokainës ka arritur nivele botërore shqetësuese për ekspertët. Këta të fundit u shprehën se rreth 22 milionë njerëz e kanë marrë këtë drogë në vitin 2021, e kjo është më shumë se popullsia e New York-ut.
Në Europë, kokaina është droga e dytë më e zakonshme në rrugë pas kanabisit. Substanca, e nxjerrë nga gjethet e kokës, është shumë problematike dhe mund të shkaktojë dëmtim të organeve, ndërsa e shtyn trupin në kufijtë e tij.
Disa studiues në Brazil kanë shpresa në një vaksinë, që mund të frenojë varësinë e përdoruesve të lëndëve narkotike. Pas marrjes, kokaina arrin shpejt në tru nëpërmjet gjakut nga ku e stimulon trupin të lëshojë dopaminën, e këtu buron një ndjesi intensive euforie. Trupi bëhet hiperaktiv dhe nervoz. Zemra pompon me kapacitet të plotë, arteriet ngushtohen. Rritet presioni i gjakut dhe temperatura e trupit. Nevojat si uria dhe etja bëhen të parëndësishme. Në rastin më të keq, konsumimi i kokainës mund të çojë në konvulsione apo arrest kardiak.
“Truri kërkon më shumë, ndërsa trupi e memorizon përvojën si të rëndësishme për mbijetesën”, thotë eksperti Hans Peter Eckert. Studiuesit shpresojnë se kjo vaksinë do të inkurajojë organizmin të prodhojë antitrupa që do të lidhen me drogën kur konsumohet dhe do ta bëjnë më të vështirë që substanca të kalojë nëpër gjak dhe në tru.
Nëse kokaina nuk mund të arrijë trurin dhe ta stimulojë atë, përdoruesi nuk përjeton këtë eksperiencë dhe reagimet e trurit që nxisin të tilla dëshira stopojnë gjithashtu. Vaksina nuk është e destinuar për përdoruesit sporadikë.