Sulmet me armë dhe mjete të tjera të ftohta janë përhapur shumë në disa vende të botës. Pas dy sulmeve të rënda me armë zjarri në Kaliforni brenda 2 ditësh ku ndërruan jetë gjithsej 18 persona, një ngjarje e rëndë është regjistruar edhe në Spanjë.
Gazeta ‘El Pais’ raporton se një shtetas maroken rreth 25 vjeç ka hyrë në dy kisha në qytetin jugor spanjoll të Algeciras dhe ka qëlluar me hanxhar (lloj thike) disa persona. Si pasojë e këtij sulmi ka ndërruar jetë një person dhe janë plagosur rëndë 4 të tjerë.
Agresori është vendosur menjëherë në prangat e policisë.
“Faktet janë duke u hetuar dhe analizuar, por ende nuk është e mundur të përcaktohet natyra e sulmit”, tha Ministria e Brendshme e Spanjës në një deklaratë. Autoritetet spanjolle e kanë cilësuar incidentin si një sulm të mundshëm terrorist.