Moti jashtëzakonisht i thatë po nxit gjithnjë e më shumë zjarre në Spanjë. Autoritetet vendase raportojnë se mbi 1700 njerëz janë evakuuar në pjesën lindore ndërsa më shumë se katër mijë hektarë tokë janë shkrumbuar.
Kryeministri Pedro Sanchez u shpreh se moti jashtëzakonisht i ngrohtë vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike, pasi ai vizitoi qendrën komanduese të zjarrfikësve në provincën Valenciane të Castellon.
Zyrtarët iu kanë bërë thirrje turistëve që të mos e vizitojnë pjesën lindore të Spanjës deri në përmirësimin e situatës.
Vitin e kaluar, rreth 785 mijë hektarë bimësi u shkatërruan në Evropë, më shumë se dyfishi i mesatares vjetore për 16 vitet e fundit, bazuar në statistikat e Komisionit Evropian. Në Spanjë , 493 zjarre shkatërruan një rekord prej 307 mijë hektarësh tokë në 2022.