Finalja e Superkupës së Evropës, ndërmjet Real Madrid dhe Frankfurt, sfidë e cila do të zhvillohet sot në mbrëmje në Helsinki, vjen me një risi absolute. Për herë të parë në histori do të përdoret sistemi gjysmë-automatik i pozicionit jashtë loje.
Ky sistem është testuar në 188 ndeshje të ndryshme, por këtë herë do të aplikohet për herë të parë zyrtarisht. Ky sistem do ti jap mundësinë gjyqtarit të marrë një vendim në lidhje me pozicionin jashtë loje brenda 20-25 sekondash, sigurisht pasi të jetë konsultuar me sallën e VAR, duke mos ulur në këtë mënyrë ritmin e lojës.
Pas suksesit në La Liga dhe Champions, Real Madrid kërkon të bëjë për vetë edhe finalen e Superkupes së Evropës. Ekipi i Carlo Ancelottit është favorit absolut, kjo dhe për vetë faktin se tekniku italian ka në dispozicion grupin e plotë, përfshi këtu edhe Benzema.
Frankfurt vjen në këtë finale pas humbjes së rëndë 1-6 të pësuar nga Bayern Munich në sfidën e parë të këtij sezoni në Bundesligë. Gjermanët nuk do të kenë në dispozicion as sulmuesin e tyre kryesor, Filip Kostic i cili do të transferohet te Juventus.