Vazhdon momenti pozitiv për sulmuesin kuqezi Sokol Cikalleshi. Lojtari i kombëtares shqiptare të futbollit shënoi golin e dytë radhazi në kampionat për Koniaspor. Në takimin ndaj Antaliaspor, 33-vjeçari shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit në minutën e 60 të lojës.
Por vendasit këmbëngulën dhe gjetën barazimin me Vural tre minuta nga fundi i kohës së rregullt. Cikalleshi shënoi edhe në takimin e javës së parë kundër Istanbulspor, që përfundoi në barazim 1-1.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka luajtur në total 180 minuta që nga nisja e Superligës turke. Në sezonin e shkuar, Cikalleshi luajti në Ligën Profesioniste Saudite me Khalezh. Në 29 takime të luajtura, sulmuesi realizoi 10 gola në kampionat dhe 1 gol në Kupën e Mbretit, ndërsa dha në total 4 asiste.