Drita bën mrekullinë në Çeki dhe lë gjithçka të hapur për skuadrën që do kualifikohet në turin e tretë të Conference League. Skuadra gjilanase mbajti portën të paprekur kundër Viktoria Plzen, duke barazuar 0-0 dhe shtyrë çështjen kualifikim për duelin e kthimit. 45 minutat e parë treguan për një lojë të fortë dhe agresive nga të dyja skuadrat dhe këtë e tregojnë katër kartonët e verdhë, nga dy për secilën skuadër, të dhënë nga gjyqtari. Megjithatë, vendasit ishin skuadër më kërkuese dhe patën dy raste të mira shënimi, por ishte portieri Florian Smakiqi që mohoi golin dhe mbajti në barazim pa gola këtë duel.
Humbje minimale 1-0 pësoi Dukagjini në shtëpi përballë një kundërshtari si Rijeka. Kroatët mbyllën llogaritë e kësaj sfide që në minutën e 30-të pas këtij goli fantastik nga hyrja e zonës. Realizim që gjithsesi nuk zbeh shpresat e skuadrës kosovare për të tentuar mrekullinë në Kroaci në takimin e së enjtes së ardhshme.
Me disavantazhin e dy golave udhëton drejt Bullgarisë Shkupi. Kampionët e Maqedonisë së Veriut ia ndërlikuan vetes rrugën drejt kualifikimit për në turin e tretë, pas humbjes 2-0 në shtëpi përballë Levski Sofie. Miqtë shënuan nga një gol për çdo pjesë për të qenë më pranë se Shkupi me raundin e tretë kualifikues të kompeticionit.