Ndërprerja e shfaqjeve të vona të natës dhe vonesat e mëdha në daljen e filmave dhe serialeve televizive të planifikuara për këtë vit, greva e skenaristëve paralizon Hollywood-in.
“Hidhni stilolapsat!”, nxiti Caroline Renard, skenariste e disa serialeve dhe programeve televizive, në Twitter.
Në mungesë të një marrëveshjeje, mijëra skenaristë të televizioneve dhe filmave amerikanë do të dalin në grevë të martën, njoftoi sindikata e tyre, pas dështimit të negociatave me studiot dhe platformat kryesore që kanë të bëjnë veçanërisht me rritjen e shpërblimit të tyre.
Kjo lëvizje shoqërore do të rezultojë në ndërprerjen e menjëhershme të programeve të suksesshme, të tilla si “shfaqjet e vona të natës”, dhe vonesa të konsiderueshme për serialet televizive dhe filmat e planifikuar të publikohen këtë vit.
Deri të hënën vonë, studiot dhe platformat kryesore duke përfshirë Disney dhe Netflix, të përfaqësuar nga Aleanca e Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit (AMPTP), njoftuan se bisedimet me WGA “u përfunduan pa një marrëveshje”.
Lëvizja e fundit e madhe sociale në Hollywood daton nga greva e skenaristëve që paralizoi industrinë audiovizive amerikane në vitet 2007-2008.
Një konflikt 100 ditor që i kishte kushtuar sektorit dy miliardë dollarë. Kjo grevë mund të ketë pasoja katastrofike për industrinë amerikane të argëtimit.