Koret raciste dhe humbja ndaj Rumanisë ka zbehur shanset e Kosovës për t’u kualifikuar në Euro2024. Dardanët u mposhtën 2-0 ndaj Rumania në Bukuresht, ku përveç futbollit, vendasit menduan edhe për të luajtur me nervat e rivalëve. Thirrjet ‘Serbia Serbia’ zgjatën më shumë se 1 orë në stadiumin kombëtar të Rumanisë, ndërsa pankarta “Kosova është Serbi” solli ndërprerjen e duelit për shumë minuta.
Rikthimi në fushë pa përfaqësuesen kosovare të acaruar, me kartonin e dytë të Vedat Muriqit që e legjitimon një fakt të tillë. Me 10 lojtarë, Kosova u mbrojt mirë kjo edhe falë aftësive të portierit Muriç që neutralizoi një penallti.
Gjithsesi, Rumania kishte forcën për të gjetur dy herë rrjetën dhe për të marrë një fitore me tepër shpresë drejt grupeve të Europianit. Të dëshpëruar për këtë mënyrë trajtimi në Bukuresht u shfaqen dy lojtarët e kombëtares dardane, Mërgim Vojvoda dhe Edon Zhegrova.
Koret raciste pritet t’i kushtojnë jo pak Rumanisë. UEFA pritet ta dënojë nga 20 deri në 100 mijë euro gjobë si dhe zhvillimin e një ose dy sfidave pa prezencën e tifozëve. Fitorja e çoi Rumaninë në vendin e dytë në Grupin I me 12 pikë, dy pikë prapa Zvicrës kryesuese. Kosova zbret në vendin e pestë.