Mashurkat janë perime të shëndetshme, por që nuk mund t’i gjejmë në çdo stinë të vitit. Nënat shpesh, mundohen t’i ruajnë perimet e ngrira në mënyrë që t’i konsumojmë edhe në dimër.
Më poshtë janë disa këshilla se si t’i ruani mashurkat të freskëta në çdo stinë të vitit.
Pastrimi me ujë të ftohtë
Vendosni mashurkat në një tas me ujë dhe pak sodë buke, kështu do të eleminohen të gjitha papastërtitë. Më pas shpëlajini ato me ujë të bollshëm.
Heqim bishtat
Me ndihmën e një thike heqim bishtat e mashurkave. Duhet të sigurohemi që të heqim dhe fijet që ky perim ka, pasi janë të bezdishme pasi gatuhen.
Vendosim në zjarr një tenxhere me ujë
Një tenxhere mesatare e mbushim me ujë, dhe e lëmë në zjarr deri sa të vlojë. Këtë ujë do ta përdorim për të kaluar pak mashurkat. Në momentin që të shohim bulëza të formohen në sipërfaqen e ujit, marrim mashurkat e qëruara dhe i hedhim në tenxhere.
Duhet të bëjmë kujdes që të mos i hedhim të gjitha njëherësh, pasi ato që do të ngeleshin në fund të tenxheres do të zbuteshin më shumë seç duhet. I lëmë në ujë për rreth 3-4 minuta. Nëse keni mashurka të holla 3 minuta janë mjaftueshëm.
I kalojmë në ujë të ftohtë
Mbushni një tas me ujë shumë të ftohtë. Pasi t’i keni hequr nga uji i nxehtë mashurkat do t’i kaloni në ujin e ftohtë. Koha e ftohjes duhet të jetë e njëjtë me atë të vlimit. Pra dhe këtu do t’i lini mashurkat rreth 3-4 minuta në varësi të madhësisë së tyre.
Ngrirja
Pasi t’i keni ftohur, me ndihmën e një pecete kuzhine, thani me kujdes që të mos i prishni formën mashurkave. Kur të keni mbaruar me këtë proces, vendosini mashurkat në një qese plastike dhe vendosini në ngrirje. Kjo metodë lejon që mashurkat të ruhen deri ne 3-4 muaj.