Inteligjenca artificiale hyn në betejën për parandalimin dhe trajtimin e zjarreve në pyje përmes programeve inovative.
Bëhet fjalë për dy programe inovative “Deep Cube” dhe “SeasFire” që kanë nisur përkatësisht në janar 2021 dhe mars 2022 dhe nëpërmjet përdorimit të teknologjive të inteligjencës artificiale, ata kërkojnë të vlerësojnë rrezikun e zjarrit në pyje në mënyra të ndryshme.
E gjitha bëhet me anë të informacioneve që jepen nga të dhënat satelitore.
“Qëllimi i Deep Cube është të përdorë një pasuri shumë të madhe të të dhënave satelitore që janë të disponueshme për momentin, mbi të gjitha falas në kombinim me teknologjitë e inteligjencës artificiale për të qenë në gjendje të japin informacione të reja nga të dhënat satelitore”, tha studiuesi Yannis Papoutsis.
Vitet e fundit duket se inteligjenca artificiale përdoret gjithnjë e më shumë nga komuniteti shkencor në kombinim me të dhënat klimatologjike dhe satelitore. Megjithatë, ka disa pikëpyetje.
“Pyetja është se si të gjitha këto mjete teknologjike që përdorin inteligjencën artificiale dhe të dhënat satelitore do të fitojnë besimin e njerëzve të biznesit. Ndaj duhet të ndërtohet besim dhe mirëkuptim në këto mjete, për t’i përdorur ato në mënyrë operative”, shtoi Papoutsis.
Të tilla aplikacione do të vazhdojnë të krijohen e ndërsa mbetet për t’u parë se si ato do të integrohen në një plan operacional apo një përgjigje në bazë të protokolleve që ka Mbrojtja Civile, Zjarrfikëset apo organet që janë përgjegjëse për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.