Është zhvilluar sot ceremonia e hapjes së edicionit të parë të Panairit të Verërave, ku për herë të parë prodhuesit bëhen bashkë për të promovuar verërat e rajonit, krahas prodhuesve të mirënjohur botërisht në Serbi.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Dritan Abazoviç, Kryeministri Edi Rama si edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Rama u shpreh se kjo nismë duhet çuar përpara pasi është një nismë për njerëzit dhe për të gjithë ato që ofrojnë shërbime dhe që prodhojnë.
“Vendosa të mos e përdor fjalën që më kanë shkruar sepse fillonte me shprehjen që ne në Shqipëri kemi krijuar verën e parë në Ballkan që në Epokën e Bronzit, unë nuk e di sa e vërtetë është kjo por di që kemi humbur kohë duke i treguar njëri tjetrit kush ka qenë i pari. Por një gjë e kemi mësuar të gjithë që asnjë prej nesh nuk do shkojë diku tjetër. Vendet tona janë këtu për të qëndruar vite e shekuj pas nesh dhe zgjedhja jonë është si të qëndrojmë këtu sëbashku në të njëjtën lagje të Europës dhe ta bëjmë më të jetueshme apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njërit-tjetrit, apo duke i vënë flakën njëri-tjetrit.”, tha Rama