Shtëpia e Bardhë njoftoi se zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Finer kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.
“Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapo zgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Po ashtu këshilltari amerikan përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedën me kryeministrin e Kosovës. Ndërsa presidentit serb i bëri thirrje të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës”, ka thënë Jon Finer.