Po shikojmë në rrjetet sociale që kanë nisur reagime të ashpra sepse Big Brother njoftoi se bileta për të parë nga afër natën finale është 500 euro. Justifikimi ishte se ky çmim kishte ardhur sepse vendet ishin të limituara për arsye sigurie.
“Nëse dëshironi të ndiqni finalen e spektaklit të jashtëzakonshëm, të takoni nga afër banorët tuaj të preferuar dhe t’i bashkoheni festës në shtëpinë më të famshme në Shqipëri. Rezervoni biletën tuaj. Për arsye sigurie, vendet janë të limituara. Biletat fillojnë nga 500 euro”, thuhej në deklaratën që “ngriti peshë” shqiptarët.
Reagimet ishin të shumta, por pse shqetësoheni o njerëz?
Jemi të sigurt që shqiptarët do e bojkotojnë! Kur nuk pati një numër të madh të të pranishmëve në një masterclass që bëri një nga divat botërore, Ermonela Jaho e ku sipas asaj që thuhet në media, bileta ishte 200 euro, ju mendoni se do të shkojnë të shohin nga afër “Luizin me shokë” me 300 euro më shumë?
Shqiptarët janë të zgjuar, janë njerëz që e duan artin, që e vlerësojnë atë, që e duan të bukurën, janë mirënjohës për këdo që ka lartësuar në botë Shqipërinë. Ngrenë zërin sa herë që politika nuk i jep vlerësimin e duhur figurave të tilla.
Shqiptarët nuk duan tallava, nuk duan personazhe që mashtrojnë çdo ditë në ekran, nuk duan limonadë, nuk duan sipërfaqësoren, por duan thelb, nuk duan personazhe që marrin famë nga hiçi, por që punojnë shumë fort për të arritur suksesin e tyre. Kjo është mendësia e tyre e jetës…
500 euro nuk është një problem, fundja shqiptarët e kanë pagën minimale 400 mijë lekë të vjetra dhe brenda 1 viti do iu bëhet rroga mesatare 900 euro. E kanë arritur këtë nivel për t’u krahasuar me vendet e rajonit, po e po, por po krahasohemi mjaft mirë edhe me vendet e tjera në Europë. Këto shifra nuk janë të papërballueshme për xhepin e askujt, thjesht pse të paguajmë për një gjë që mund ta shohim shumë mirë në ekran dhe rehat në shtëpi?
…prandaj mos u shqetësoni, studio me 6 maj do jetë bosh./ Bruna.K