Kombëtarja shqiptare bëri detyrat në Ishujt Faroe dhe ngjalli shpresat për një pjesëmarrje të dytë në Europianit e Gjermanisë. Skuadra e Sylvinhos ruajti ritmin e fitores së Tiranës ndaj Moldavisë dhe triumfoi 3-1 në transfertën e Faroes. Një sfidë e jashtëzakonshme për kuqezinjtë, që tashmë kanë në duart e tyre biletën për në Euro2024.
Sfida nisi vrullshëm me kuqezinjtë që ishin kërcënues në portën ishullore. Sokol Cikalleshi i shpëtoi mbrojtjes kundërshtare por jo pozicionit jashtë loje, duke parë t’i anullohet një gol që në minutën e parë. Kuqezinjtë nuk e ulën ritmin dhe në minutën e 20-të, Asani kombinoi bukur me Bajramin, me mesfushorin që gjeti fundin e rrjetës me një goditje diagonal. Goli i dytë për futbollistin radhazi, pas atij goli në fitoren ndaj Moldavisë në Tiranë.
Cikalleshi kishte një mundësi të artë për të gjetur golin e 13-me fanellën kombëtare, por gaboi nga 11 metërshi. Ishujt Faroe u shfaqën kërcënues në portën e Berishës në fundin e pjesës së parë, duke ia dalë të shënojnë golin e barazimit momental 1-1 me anë të Faroe.
Edhe fraksioni i dytë nisi nën ritmin e kuqezinjve, madje në minutën e 51-të, Kristjan Asllani me një goditje të bukur me të majtën gjeti këndin e djathtë të portës kundërshtare për të shënuar golin e 2-1. Një realizim kryevepër nga ana e mesfushorit të Interit. Për të kompletuar fitoren e Shqipërisë mendoi Muçi, që shënoi në prekjen e parë të topit pas aktivizimit nga stoli.
Fitore tepër e rëndësishme për vazhdimësinë, pasi tashmë, distanca me kreun që mbahet nga Republika Çeke, rivali ynë i radhës qëndron në vetëm një pikë. Shqipëria numëron 6 pikë pas 3 sfidash, ndërsa asist vjen nga Moldavia, që përmbysi 3-2 Poloninë dhe mban në lojë kuqezinjtë për një biletë në Europianin e vitit të ardhshëm.