Fitorja përballë Polonisë ka rritur shpresat e Kombëtares shqiptare për të shkuar për herë të dytë në Europian. Kuqezinjtë janë vetëm pak pikë larg mrekullisë, pasi tre takime para fundit gjenden në vendin e parë në grupin kualifikues. Një ecuri e jashtëzakonshme nga ana e trajnerit, Sylvinho. Dëshmitar i këtij suksesi është padyshim edhe impianti modern kombëtar.
Stadiumi ‘Air Albania’ është kthyer në një fortesë për kombëtaren tonë, që thuajse gjithmonë ka qenë i tejmbushur nga tifozët. Në impiantin e parametrave dhe standardeve europiane, kuqezinjtë kanë marrë 6 fitore dhe po kaq humbje, ndërsa tre prej sfidave janë mbyllur në barazim. Impianti kthehet në vatrën e shpresës për të marrë fitore sa herë që lojtarët kuqezi zbresin në fushën e lojës.
Tifozët luajnë gjithmonë rolin e futbollistit të 12-të, duke shtyrë skuadrën që të jap më shumë se 100% nga maksimumi i tyre. Në katër takimet e fundit në ndeshjet e zhvilluara në kryeqytet, gjërat për Shqipërinë nuk mund të shkonin më mirë. Kuqezinjtë kanë fituar tre duele mes të cilave miqësoren me Armeninë, ndërsa një duel përfundoi në barazim, ai i Ligës së Kombeve me Islandën. Formë që e afron akoma dhe më shumë kombëtaren shqiptare me turneun gjerman që mbahet vitin e ardhshëm.
Në ‘Air Albania’, Shqipëria do të luaj dy nga tre finalet e mbetura në këto kualifikuese, që duket se tashmë jep maksimumin kur luan para publikut të saj.