Shpenzimet marramendëse janë hedhur në kosh. Më pak se shtatë muaj ka zgjatur aventura e Graham Potter në stolin e Chelsea. Blutë e Londrës ishin tepër të prerë për të ardhmen e skuadrës, duke identifikuar trajnerin si fajtor të performancës jo të mirë në fushën e blertë. Edhe pse u mor me një eufori të madhe, ish-trajneri i Burnley nuk arriti që të përmbush pritshmëritë në “Stamford Bridge”. Humbja turpëruese kundër Aston Vijës i kushtoi shtrenjtë 47-vjeçarit, që largohet nga Londra me një mal me para. Për të zgjidhur marrëveshjen me Potter, Chelsea ka rënë dakord për t’i paguar rreth 24.5 milionë euro dëmshpërblim.
Shifër rekord për sa i përket shkarkimit nga puna të një trajneri me anglezin që do të mbahet mend gjatë te skuadra londineze. Bilanci negativ në pankinë, ku ka drejtuar në 31 ndeshje dhe shënuar 12 fitore, 8 barazime e 11 humbje e ka pozicionuar skuadrën në vendin e 11-të në kampionat. Ndërkohë në Champions League, klubi ka arritur fazën çerekfinale, aty ku e pret një rival si Real Madrid.
Në këto sfida, Chelsea ka shënuar në total 33 gola dhe pësuar 31, thuajse 39% fitore, duke qenë trajneri me ecurinë më negative në shekullin e 21-të tek Blutë. Aktualisht skuadra do të kalojë në duart e zëvendës-trajnerit, Bruno Saltor, gjithsesi emrat pretendente për stolin e Chelsea nuk mungojnë. Mauricio Pochettino, Zinedine Zidane, Marco Silva dhe Julian Nagelsmann janë në listën e dëshirave të presidentit, Boehly, me gjermanin që duket më i avantazhuar për të kaluar në Londër.