Një ndër temat ku çiftet mund të kenë mendime tërësisht të kundërta, është kur flenë, nëse duhet ta mbajnë dritaren hapur apo mbyllur. Për të gjithë ata që dëshirojnë të flenë me dritare hapur, tashmë kanë një argument shkencor për të mbrojtur qëndrimin e tyre. Shkenca ka vërtetuar që mbajtja hapur e dritareve dhe dyerve të dhomës së gjumit, zvogëlon nivelet e dioksidit të karbonit, dhe automatikisht përmirëson cilësinë e gjumit.
Hulumtuesit e Holandës e kryen studimin me 17 vullnetarë beqarë, rreth moshës 20-vjeçare. Ata monitoruan gjumin e tyre për pesë net, duke marrë në konsideratë nëse e kishin dritaren hapur apo mbyllur.
Për të vlerësuar cilësinë e gjumit të tyre, studiuesit përdorën disa metoda: anketa, pajisje që gjurmonin lëvizjet, matja e temperaturës, nivelet e djersës dhe përmes disa pajisjeve të vendosura nën jastëkë.
Rezultoi se pjesëmarrësit që kishin fjetur me dyer apo dritare hapur kishin bërë gjumë më të mirë, ishin zgjuar më rrallë gjatë natës dhe kishin pasur nivele më të ulëta të dioksidit të karbonit në dhomë.