Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se është në pritje të deklaratave të KFOR-it sa i përket ngjarjes së rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.
Ai deklaron se kush thotë se Shqipëria po hesht, po i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit, duke shtuar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, ka thënë Rama.
Rama ka theksuar se Shqipëria është në linjë me ndërkombëtarët.
“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat”, ka shkruar Rama.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Sipas tyre, njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.