Këtë të martë në paradën tradicionale të “Ditës së Fitores” që shënon fundin e Luftës së Dytë Botërore, presidenti Vladimir Putin ka dhënë një deklaratë të fortë duke u zotuar për pushtimin e Ukrainës.
Ai thotë se një luftë e vërtetë ka nisur kundër atdheut.
“Sot, qytetërimi është edhe një herë në një pikë kthese. Një luftë e vërtetë është nisur sërish kundër atdheut tonë, por ne i rezistuam terrorizmit ndërkombëtar, kështu që do të mbrojmë qytetarët e Donbasit, do të garantojmë sigurinë tonë”, tha Putin.
Edhe kësaj here, ai bëri fajtor Perëndimin.
“Elitat perëndimore, bëjnë mashtrime me njerëzit dhe provokojnë konflikte të përgjakshme. Ukrainasit janë bërë pengje të një regjimi kriminal. Qëllimi i tyre nuk është gjë tjetër, veçse të shohin rënien e vendit tonë. Perëndimi ka harruar se kush e mundi nazizmin”, shtoi ai.
Parada ushtarake në Sheshin e Kuq filloi me prezantimin e flamurit kombëtar të Federatës Ruse dhe Flamurit të Fitores të shoqëruar me këngën “Lufta e Shenjtë”. Në paradë u shfaq edhe arma më e fuqishme në pronësi të ushtrisë ruse.