Prej gati 1 viti, Rusia vijon bombardimet ndaj Ukrainës me një seri sulmesh raketore në të gjithë vendin, duke goditur objektet kritike të infrastrukturës e duke sjellë për pasojë ndërprerje të energjisë elektrike.
Vetë, Zaporizhzhia ku ndodhet centrali bërthamor më i madh në Evropë, u godit me 17 raketa në një orë. Gjendja paraqitet më e vështirë jo vetëm në Zaporizhzhia, por edhe Harkiv dhe Hmelnitski. Sulmet pasojnë udhëtimet e fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Londër, Paris dhe Bruksel, ku ai u takua me liderët evropianë për të kërkuar avionë luftarakë për të ndihmuar Ukrainën të mposhtë pushtimin rus.
Në këto takime ai mori një mbështetje të madhe nga ndërkombëtarët të cilët i janë premtuar tanke nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe aleatët e tjerë të NATO-s, por ende nuk ka mjaftueshëm për të nisur një kundërofensivë kundër Rusisë.
Në rajonin e Odesa, sistemi ukrainas i mbrojtjes ajrore rrëzoi 13 raketa, por sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në të gjithë vendin. Zyrtarët paralajmëruan njerëzit që të kërkojnë strehim kur i dëgjojnë ato. Sulmet e së premtes vijnë pak para përvjetorit të 24 shkurtit të pushtimit rus të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë tha se një raketë që synonte Ukrainën kaloi hapësirën e saj ajrore këtë mëngjes. E njëjta gjë u raportua edhe në Rumani, por autoritetet nuk e konfirmuan një informacion të tillë.
Ndërkohë raportohet se Presidenti rus Vladimir Putin do të mbajë një fjalim në Asamblenë Federale më 21 shkurt, në prag të 1-vjetorit të pushtimit të Ukrainës.