Forcat ukrainase kanë akuzuar Rusinë se ka hedhur në erë një nga digat më të mëdha në rajonin Kherson. Si pasojë e hedhjes në erë të kësaj dige rrezikohet të përmbytet e gjithë Ukraina jugore.
Diga, 30 metra e lartë dhe 3.2 km e gjatë, u ndërtua në vitin 1956 në lumin Dnipro si pjesë e hidrocentralit Kakhovka. Ajo gjithashtu furnizon me ujë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në 2014, dhe centralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili është gjithashtu nën kontrollin rus.
Presidenti ukrainas e cilësoi një sulm terrorist ndërsa ka mbledhur gjithashtu Këshillin e Sigurimit për situatën.
“Shkatërrimi i digës së hidrocentralit Kakhovka vetëm konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të dëbohen nga çdo cep i tokës ukrainase. Nuk duhet t’u lihet asnjë metër, sepse çdo metër e përdorin për terror’’, u shpreh Zelensky.