Ditën e djeshme nisi zyrtarisht viti i ri universitar 2022-2023 por në anën tjetër pedagogët ndodhen në ditën e dytë të bojkotit. Ata kërkojnë rritje page 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër. Kjo gjë ka krijuar një lloj ngërçi mes Universiteteve të vendit dhe Qeverisë.
Qeveria e ka bërë të qartë që Universitetet të bëjnë çfarë të munden dhe të dalin në treg për të mbledhur financime ndërkohë ata kanë premtuar se ky bojkot do të vijojë.
Le të marrim të mirëqenë se të dyja kanë të drejtë të kenë kërkesat e tyre por ata që ndodhen në mes të kësaj përplasjeje janë studentët.
Studentë kanë të gjithë të drejtën legjitime të ulen në auditorë por janë pedagogët dhe qeveria që nuk po e lejojnë këtë gjë me anë të përplasjes që kanë. Janë studentë të cilët kanë ardhur nga rrethet dhe ndodhen pa asnjë lloj përkrahjeje. Supozohet se një student që ka ardhur nga rrethet, nuk e ka pasur akoma mundësinë që të gjejë një punë dhe praktikisht nuk ka të ardhura. Qeveria dhe pedagogët e kanë menduar se ku ushqehen, ku flenë dhe çfarë bëjnë këta studentë?
Statusi i studentit fitohet kur ulesh në auditor dhe merr dije nga disa persona që kanë statusin e pedagogut. Diçka që ishte për të qarë dhe për të qeshur është kur pedagogët (që paguhen nga shteti, punojnë në privat dhe financohen nga projekte të huaja) u kërkuan studentëve që t’i bashkohen protestës së tyre? Për çfarë arsye duhet që një student të qajë hallin e një pedagogu kur një pedagog nuk po kryen detyrën e tij bazë, atë të mësimdhënies. Pse studenti duhet të të vijë ty nga pas zoti dhe zonja pedagoge kur i rrjepni studentët në çdo sezon dhe minisezon. Kërkoni euro dhe jo lekë sepse jeni europianizuar, ama vetëm kur bëhet fjala tek paratë. Kërkoni përkrahje kur i lini studentët të presin me orë e me orë të tëra në auditore se keni punët tuaja, kur në fakt puna e vetme që keni janë ata. Kërkoni llogari, por kur ju kërkojnë llogari hidheni dhe thoni se jeni ‘autonomë’. Sot ndoshta, një pjesë e studentëve ju përkrahin sepse mendojnë se ju do t’i merrni me sy të mirë dhe do ndikoni në notën e tyre, sepse s’janë aq të djallëzuar sa ju, por ju keni plane të tjera, kjo duket ashiqare.
Unë, ti, prindi yt, xhaxhai, halla, tezja, e të tjerë, po paguajnë taksa, dhe ai pedagogu zevzek refuzon të shkojë në auditor se kërkon më shumë para? Për këtë duhet që studentët të dalin krah tyre? Harruan pedagogët që në protestën e studentëve në fillimet e saj, asnjëri prej tyre nuk ishte aty? E pse nuk ishin? Se kishin frikë vendin e punës dhe nuk donin me demek ‘ta politizonin’ situatën.
Për t’u kthyer nga ana tjetër, sot ministrja e Arsimit, Evis Kushi doli në konferencë me rektorët e Universiteteve dhe po fliste për rankimin e tyre. Tha se rankimi është i nevojshëm që studentët të dinë cilin universitet të zgjedhin? Ja studentët ju zgjodhën, më të mirin ose më të keqin, pak rëndësi ka, pse s’po marrin shërbim zonja ministre? Pse e merrni mundimin të ngrini një grup ekspertësh (që sigurt do të paguhen) dhe nuk e merrni mundimin që të përpiqeni të zgjidhni ngërçin? E vërtetë, qeveria e hodhi një hap dhe rriti me 7 për qind pagat, paga bruto e një lektori nga 90 mijë lekë bëhet 96 mijë lekë, e asistent lektorë nga 73 mijë shkon në 78 mijë lekë, ndërsa paga e një pedagogu me titullin profesor nga 121 mijë në 129 mijë lekë në muaj. Foli ministrja sot edhe për rritje të cilësisë së komponentëve që e bën një universitet të kërkuar nga studentët. Dhe çfarë do të thotë kjo kur studentët i keni lënë në rrugë dhe s’po bëjnë mësim. Do thoni që disa janë me bursa si ekselentë, disa janë me gjysmë bursash se përfitojnë nga kategoritë e asistencës sociale të prindërve, të përndjekurit politikë, kanë pjesëtarë të grupeve të ndryshme të invaliditetit etj. Po në parim qëndron, por historikisht ato bursa kanë dalë në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit. Ai studenti që vjen nga Saranda, Kukësi, Mallakastra ku supozohet të strehohet dhe të kalojë muajin?
Dhe kërkoni ju zonja ministre që të mbani rininë këtu pasi të shkollohet? Një vitparist në fakultet po mendon se ‘waw shkolla e lartë qenka shumë e vështirë për t’u përballuar’. Po, po patjetër që është e vështirë, në të gjitha drejtimet, ambientimi, mësimet, shpenzimet por vetëm aq, nuk duhet të vrasin mendjen edhe për politikat tuaja, që ju thoni se janë të suksesshme, por rezultatet lënë shumë për të dëshiruar.
Një profesor i nderuar sot në mbledhjen me Ramën dhe Kushin tha se studentët sot janë ku thërret qameti. Ai ishte profesor fizike në një universitet privat:
‘Vras mendjen se kush do t’u japë mësim nipërve dhe mbesave tuaja. Për 50 vite, dega e fizikës dhe matematikës do të jenë për faqe të zezë. Studentët janë shumë nivel i ulët’-, u shpreh ai.
Dhe po, kjo është falë sistemit që është ngritur, pa meritokraci, pa konkurse, pa asgjë. Pastrojeni këtë kategori siç u përpoqët të pastronit gjyqësorin. Bëni një Vetting dhe të shohim nëse do të kërkojnë më rritje pagash, apo do t’ju duhet të kthejnë mbrapsht tepricat. Freskojeni universitetin me fytyra të reja që e kanë mendjen tek e dhëna dhe jo tek e marra. Nis që në gjeneze, që në fillore, gjimnaze dhe universitare. Por sot jemi tek kjo e fundit, po përpiqemi ta kapim të keqen nga bishti për një sistem që është kalbur dhe pak shpresë ka që të rinjtë të mos kenë mendjen të largohen nga ky vend, që i ka të gjithë përveç vullnetit të mirë.
Me studentët që janë rrugëve çfarë do të bëhet? Këtë pyetje kisha unë dhe shumë e shumë studentë e prindër në të gjithë vendin. Po paguajnë për shkollën që fëmijët e tyre, s’e dinë as ku bie…
/Redaksia Vesa News/