Moti i acartë që ka goditur një pjesë të madhe të SHBA-së për disa javë me radhë i ka marrë jetën 55 personave. Autoritetet kanë ngritur alarmin e kuq duke ripërsëritur thirrjen e tyre për të mos udhëtuar.
Përveç viktimave dhe dëmeve, moti i acartë ka shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve. Një aeroplan rrëshqiti nga pista në aeroportin ndërkombëtar Frederick Douglass Greater Rochester. Zyrtarët e aeroportit thanë se 50 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit ishin në bord kur avioni doli nga pista për shkak të ngricave por asnjë prej tyre nuk pësoi lëndime.
Bora nuk ka kursyer as Vankuverin, British Columbia në Kanada. Ndërkaq bora dhe temperaturat e ulëta kanë paralizuar transportin në Gjermani dhe Francë. Aeroporti i Frankfurtit anuloi mbi 1,000 fluturime ndërsa disa pista u mbyllën për shkak të ngricave. Deutsche Bahn, operatori hekurudhor kombëtar i Gjermanisë, anuloi gjithashtu udhëtimet në distanca të largëta.
Bora përfshiu edhe disa pjesë të Belgjikës ndërsa autoritetet paralajmëruan për kushte të rrezikshme në disa rrugë në jug. Në Parkun Mbretëror të qytetit përballë pallatit, këmbësorët shëtisnin duke admiruar statujat e mbuluara me borë.