Greqia pritet të përballet me fundjavën më të nxehtë të korrikut në 50 vjetët e fundit, ka paralajmëruar një meteorolog të premten, duke përmendur se valë të të nxehtit do të ketë edhe javën e ardhshme.
Ministrat qeveritarë i kanë këshilluar njerëzit që të punojnë prej shtëpive, nëse kanë mundësi, dhe të mos dalin nëpër rrugë, nëse nuk kanë nevojë.
Temperaturat tejet të larta nënkuptojnë se qendrat kryesore turistike do të jenë të mbyllura në periudhën më të nxehtë.
“Kjo fundjavë rrezikon të jetë më e nxehta e regjistruar në korrik në 50 vjetët e fundit”, ka thënë Panagiotis Giannopoulos, meteorolog i transmetuesit shtetëror ERT.
“Athina do të regjistrojë temperaturë mbi 40 gradë Celsius për gjashtë deri në shtatë ditë, deri në fund të korrikut”, ka thënë Giannopoulos.
Një periudhë kaq e gjatë me temperatura shumë të larta, nuk është e zakonshme për kryeqytetin grek.
Autoritetet kanë raportuar se zjarrfikësit janë duke luftuar me 79 zjarre pyjore në gjithë shtetin, dhe është paralajmëruar që Greqia do të jetë nën gjendje alarmi përgjatë fundjavës.
Turqia ka thënë të premten se do t’i dërgojë dy aeroplanë dhe një helikopter në shtetin fqinj, për të ndihmuar në luftim të zjarreve.
Përndryshe Greqia është vetëm një prej shteteve në Evropë që po përballen me të nxehtin ekstrem që e ka përfshirë globin në ditët e fundit./ Marrë nga REL