Ron DeSantis dhe Nikki Haley u përplasën sërish në një debat teksa prekën një sërë temash nga politika e jashtme dhe lufta në Ukrainë dhe Gaza. Edhe pse nuk mori pjesë në debat të dy kandidatët vunë në dyshim karakterin e Donald Trump për t’u bërë sërish president. Kandidatët u përfshinë në mosmarrëveshje mbi mbështetjen për financimin e vazhdueshëm të mbrojtjes së Ukrainës nga SHBA kundër Rusisë.
Haley mbrojti faktin që Kongresi të ofrojë ndihmë për Kievin, duke theksuar përshkallëzimin e mundshëm të kërcënimit rus dhe implikimin ndaj vendeve të NATO-s. DeSantis ngriti shqetësime për sasinë e parave të alokuara për konfliktin, duke kërkuar llogaridhënie dhe duke shprehur skepticizëm. Ndërkohë, të dy shprehën pa mëdyshje mbështetjen e tyre për Izraelin.
Debati vjen pasi ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie u tërhoq nga gara presidenciale. Largimi vjen si surprizë, pasi ai e kishte bazuar suksesin e fushatës së tij tek zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, të cilat mbahen pas vetëm dy javësh. Ai kishte këmbëngulur se nuk kishte ndërmend të largohej nga gara, duke e paraqitur veten si të vetmin kandidat me vullnetin për t’u përballur me ish-presidentin Donald Trump.